Secondary Adv

Rekord dëmesh nga zjarri, Sistemi Evropian: Në Shqipëri 46 mijë ha tokë të dëmtuara deri tani

Me rreth 90 vatra zjarri dhe mbi 45 mijë hektarë sipërfaqe të djegur që nga fillimi i vitit e deri më tani, situata me zjarret në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit.  

Sipas deklarimeve të bëra më parë nga Ministria e Mbrojtjes, sezonet verore kishin mesatarisht 6 zjarre në javë deri në 2024, ndërsa këtë vit kemi pasur 13 zjarre në javë. Deri në fund të korrikut rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, 1 objekt kulti dhe një nënstacion energjie. Por lind pyetja, kush do i mbulojë këto dëme të shkaktuara nga zjarri?

 

Nëse i referohemi sigurimit që qytetarët i kanë bërë pronës së tyre në rast dëmtimi të saj nga zjarri apo forca të natyrës, numri i atyre që paguajnë për një sigurim të tillë vijon të jetë shumë i ulët.

 

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto nga sigurimi prej zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtime të tjera në pronë, pësuan një rënie me 2.4%.

 

Në total, kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar gati 1.7 miliardë lekë nga policat e sigurimit të pronës. Megjithatë, numri i kontratave të sigurimit për sigurimin nga zjarri dhe dëmtimet e tjera në pronë ka arritur mbi 31 mijë, rreth 9.3% më shumë se në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.

 

Nëse bëjmë një krahasim që nga viti 2021, numri i personave që paguajnë për të siguruar pronën e tyre është rritur, por me një ritëm të ngadaltë. Në 2021, primet e arkëtuara prej kompanive të sigurimit nga ky lloj produkti ishin vetëm 2 miliardë lekë, ndërsa në 2024 arritën në 2.6 miliardë. Nga ana tjetër, numri i kontratave që nga 2021 e deri në 2024, ka pësuar një rritje me 10.8%.

 

Kjo tregon se ka pasur një shtim të ndërgjegjësimit, por që mbetet e pamjaftueshme. Barra më e madhe për mbulimin e dëmeve do t'i mbetet shtetit. Qeveria po punon për hartimin e një pakete mbështetëse ndaj atyre fermerëve që u janë djegur tokat bujqësore prej zjarreve të muajve të fundit. Vetëm pas vlerësimit të dëmeve nga secila bashki, do të bëhet kompensimi. /Scan


Më të lexuarat